Një Grua në timonin e Qendrës së Parë të Trajnimit dhe Punësimit Detar në Shqipëri.

Kush është CEO i kompanisë TSTS Group?

Marseda Shkodra, drejtoresha e përgjithshme e Kompanisë TSTS Group, e shkolluar dhe diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë në Genoa Itali, me një specializim të veçantë për logjistikën e transportit shprehet se:  - "Nganjëherë, ndjehem si një Italiane e transplantuar në Shqipëri, me të gjitha vështirësitë e rastit që hasen në vendin tonë, përpiqem të mos e përqafoj informalitetin dhe mentalitetin e prapambetur që ende ekziston në sektorin detar, kur bëhet fjalë për rolin e gruas. Pikërisht kjo perspektivë këndvështrimi, më ka udhëhequr që t'i shikoj tabutë si një sfidë, për t’i shkatërruar ato dhe për të ndryshuar sadopak realitetin Shqiptar”.

 

Si lindi ideja dhe si filloi aktiviteti i trajnimeve detare?

Kur filluam biznesin tonë, në vitin 2010, ishte pothuajse e papranuar në mentalitetin e kohës, që detarët Shqiptar, kryesisht meshkuj, të udhëhiqeshin apo këshilloheshin nga një grua në procesin e tyre të formimit profesional dhe të certifikimit STCW (Standards of Training, Certification and Watchkeeping), që u nevojitej për t’u punësuar në sektorin detar. Puna e bërë në ato vite kishte shumë vështirësi, pasi nga njëra anë na duhej të implementonim një sistem tërësisht të ri trajnimi, bazuar në kërkesat e konventave ndërkombëtare dhe të praktikave Europiane. Nga ana tjetër kërkohej durim për të bindur detarët tanë, mbi rëndësinë e këtij procesi, i cili më pas ashtu siç dhe koha e tregoi, u hapi rrugën atyre për t’u punësuar në anijet me flamur të huaj. Shqipëria në ato vite nuk ishte pranuar në listën e bardhë të Konventës STCW dhe si rrjedhojë detarët tanë e kishin të pa lejuar të punonin në anijet me flamur jo Shqiptar. Edhe pse vlen për t’u theksuar se një pjesë e madhe e detarëve tanë të kohës, e mirëpritën këtë proces duke e përkrahur. Sidomos ata persona të cilët kishin studiuar në Fakultetin e Inxhinieri Navigacionit në Vlorë dhe kishin vite eksperiencë në anije, kërkonin standarde. Por mbaj mend që kishte dhe nga ata individë të cilët ishin skeptikë dhe nuk i jepnin interesin dhe seriozitetin e duhur këtyre trajnimeve, duke i konsideruar ato thjesht si një karton certifikate më shumë, pa ndonjë vlerë të veçantë profesionale. Puna jonë ishte e fokusuar në ndryshimin e opinionit të këtyre individëve dhe në zbatimin e një procesi formimi profesional detar, ku për herë të parë iu dha rëndësi pikërisht përçimit të dijes dhe jo veç formalitetit të certifikatës.

Ky objektiv që i kishim vënë vetes, të cilin e besonim me shpirt se një ditë do të realizohej, na dha guximin që të vetë financonim këtë projekt duke investuar në një sektor, si ai detar, ku më shume flitet se sa veprohet. Investimi jonë konsistoi në ndërtimin e facileteteve bashkëkohore që një qendër e tillë trajnimi, kërkonte në nivel ndërkombëtar. U instaluan për herë të parë në Shqipëri Simulator Detar, me qëllim përgatitjen e kandidatëve, mbi përdorimin e teknologjisë së instaluar në mjetet lundruese. Profesorë Italianë, bashkë me Kapiten Shqiptarë me përvojë, si zoti Mynyr Bajraktari, e kolegë të tjerë, punuan për gati 1 vit radhazi për të gjitha kurset e reja që qendra realizonte, deri sa u plotësua paketa e trajnimeve, kërkuar nga Konventa STCW. Në këto vite qendra iu nënshtrua auditeve periodike dhe certifikimeve ndërkombëtare, duke i lejuar asaj të ushtronte këtë aktivitet në një treg global. Këto arritje, nuk ishin asgjë tjetër veç se, detyrat e shtëpisë për një vend si Shqipëria, ku firmosja e konventave dhe marrëveshjeve Detare është konsideruar si arritje, por zbatimi tyre ka kaluar shpesh herë në harresë. Lufta ndaj indiferencës, që na karakterizon ne Shqiptarëve në tërësi, është një përpjekje e gjithanshme, që kërkon angazhim nga të gjithë aktorët që kanë rol në këtë sektor. Këtë frymë pozitiviteti dhe egoje profesionale, karakterizuar dhe nga entuziazmi i një moshe të re, e përcollëm tek të gjithë bashkëpunëtorët tanë. Ekziston shprehja, kur të gjithë përqafojnë të njëjtin objektiv, suksesi është i garantuar. Kjo është arsyeja e vetme në gjykimin tim, që Shqipëria sot gëzon statusin e një vendi të listës së bardhë të Konvetës STCW, çka u lejon detarëve tanë, të jenë pjesë e tregut ndërkombëtar të punësimit në anije.

 

 A kanë luajtur rol ndihmues strukturat shtetërore në zhvillimin e këtij procesi?

Vlen për t’u theksuar se Qendrës sonë të trajnimit, nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e Administratës Detare, si dje ashtu dhe sot, e cila nëpërmjet ekspertëve të saj, kuptonte dhe kupton vështirësitë dhe sfidat e këtij sektori. Të bindësh jo vetëm detarët mbi rëndësinë e këtyre trajnimeve, por gjithashtu të orientosh brezin e ri drejt këtij sektori, që dje konsiderohej një mollë e ndaluar për Shqiptarët, nuk është aspak e lehtë.

Një tjetër tabu e thyer që na bën të ndjehemi krenar, është fakti që në vitin 2011 një grup prej 15 vajzash Shqiptare për herë të parë u angazhuan në pozicionet e Stewardess në tragete. Ky ishte momenti kur mentaliteti se puna detare ishte vetëm për burra, pak nga pak, filloi te krisej. Sot ato numërojnë më shumë se 100 dhe jo vetëm si detare profesioniste, por edhe si artiste apo pozicione të tjera, deri dikur të pamenduara që mund të zhvilloheshin në anije. Tendenca për shtimin e numrit te vajzave te punësuara ne det, është në rritje duke qenë se sektori i Kroçerave aktualisht është i prekshëm edhe nga të rinjtë Shqiptarë.

Sot falë këtyre përpjekjeve, vajzat shqiptare nuk ngurojnë të aplikojnë në pozicione nga më të ndryshmet në anijet traget dhe ato krocere, duke marrë jo pak herë edhe vlerësime më të mira se sa meshkujt. Këtu duhet sqaruar se ende pak vajza Shqiptare i janë dedikuar shkollës së lartë të detarisë, që fatmirësisht sot operon jo vetëm në Vlorë, por edhe në Universitetin e Durrësit.

Ky specializim u lejon atyre më pas të bëjnë karrierë në anije tregtare në pozicionet drejtuese të Oficerëve dhe Kapitenit. Prandaj mendoj që kemi ende shumë punë për të bërë, pasi sapo kemi filluar të futemi në një sektor me epërsi mashkullore dhe që dikur ishte tabu për ne vajzat. Brenda kompanisë TSTS Group, në skuadrën tonë, vajzat janë më të shumta në numër. Ky fakt nuk ka qenë i rastësishëm, por një përzgjedhje e drejtuesve të saj, për të ndryshuar një mentalitet që nuk përkon me kohën që jetojmë dhe për të ngjasuar sa më shumë me kolegët e vendeve fqinje si Italia, Greqia, Mali i zi dhe Kroacia, shpjegon Marseda Shkodra, aktualisht në pozicionin CEO i Grupit TSTS.

 

Cfarë përfaqëson Shoqëria TSTS Group në sektorin detar Shqiptar?

Shoqëria TSTS Group është e njohur ndryshe si Qendra e Trajnimit dhe Punësimit Detar. Kjo Shoqëri është autorizuar nga Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Punës, Ministrisë së Brendshme, referuar Licencave të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Licencimit. Nga viti 2011, Shoqëria TSTS Group, prej vitesh operon me standardet 9001:2015 dhe në Dhjetor të 2018, u pajis gjithashtu me një certifikim të veçantë për zbatimin e Konventës mbi Punën Detare MLC 2006, ratifikuar së fundmi nga vendi ynë.

Që në vitet e para të krijimit, Shoqëria TSTS është angazhuar në projekte serioze nga grupe të rëndësishme industriale, falë profesionalizimit të stafit teknik që zotëron, vendas dhe i huaj, i cili ka ditur t’i përgjigjet me korrektësi kërkesave specifike të tregut, duke ofruar një shërbim të kompletuar dhe cilësor në tregun shqiptar.

"Shoqëria TSTS Group sot përfaqëson në mënyrë direkte emra të rëndësishëm të tregut ndërkombëtar detar si COSTA Crociere, GNV, ESA Group, Adria Ferries, Corsica Ferries, Selection, etj. Ky besim i ofruar në rang ndërkombëtar na ka lejuar të punësojmë me shume se 700 të rinj dhe të reja Shqiptare, me rroga duke filluar nga 1000$ në muaj dhe ky numër sa vjen e rritet. Puna detare është ai sektor punësimi ku forca punëtore dhe intelektuale nuk i largohet përgjithnjë vendit, përkundrazi ajo rikthehet me një zhvillim profesional të njohur ndërkombëtarisht dhe me një ekonomi familjare më të shëndoshë.

Vetëm në këtë mënyrë mendoj se do t’i kthejmë vendit tonë, rëndësinë që i takon në sektorin detar, duke e faktorizuar atë në një treg që nuk njeh kufi. Koha sot kërkon që Shqipëria të marrë një rol lider në rajonin Ballkanik, duke shfrytëzuar hapësirat që i lejon pozicioni i saj gjeografik, ndaj pamundësisë së vendeve fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Serbia për të pasur dalje në det. Roli i liderit në një sektor, siç është ai detar, kërkon angazhim të ekspertëve te fushës, strategji të mirë konceptuara, analiza krahasuese mbi legjislacionin dhe konkurrencën, bashkëpunim ndërinstitucional dhe përfshirje të sektorit privat në vendimmarrjet që prekin interesat e tyre. Nuk mund të qëndrojmë në pritje se çfarë do të na propozojnë për zhvillimin e sektorit, partneret e huaj, apo fqinjët tanë, kur ata vete janë te ndikuar që konkurrenca e sektorit detar mos prekë vendet e tyre.

 

Cilat janë risitë që kjo Kompani ka arritur të zhvilloje në procesin e trajnimit dhe punësimit detar?

"Ne kemi propozuar në Shqipëri një mënyrë të re të kuptimit të trajnimeve për figura të specializuara detare, sipas një modeli që rrit elementin njerëzor dhe lejon zhvillimin e një niveli të lartë të aftësive teknike dhe teknologjike", thekson Drejtoresha e Pergjithshme e Grupit TSTS. Qëllimi ynë është të kualifikojmë të rinjtë shqiptarë sipas kërkesave të tregut. Mundësia për një trajnim bashkëkohor e të vazhdueshëm, do t’i ndihmojë ata për të kryer detyrat e tyre me përgjegjësi profesionale dhe do t’i vendosë ata në një pozitë të favorshme, për t'u përballur me konkurrencën ndërkombëtare ".

Falë besimit të kompanive me të cilat bashkëpunojmë, referuar avantazheve që ofrojmë: moshës së re të kandidatëve, njohjes së gjuhëve të huaja, pozicionit gjeografik dhe kostove të ulëta në specializimin e stafit, sot ia kemi arritur të futemi në tregun ndërkombëtar të punësimit detar. Edhe pse ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin entuziazëm, jam e mendimit se e ardhmja e sektorit u përket dhe është në dorën e të detareve të rinj, të cilët do ta shikojnë me interes këtë perspektivë punësimi për karrierën e tyre profesionale”.