A njihen Patentat Detare Shqiptare jashtë vendit?

Nga Av. Dorian MERSINI 

A njihen Patentat Detare Shqiptare jashtë vendit?

Kjo është një nga pyetjet e shumta që klientët tanë na kanë drejtuar ndër vite, kur interesohen për t’u pajisur me një patentë të tillë detare. Pikërisht duke marrë shkas nga ky shqetësim kolektiv i personave që kanë pasion lundrimin detar, për qëllime kënaqësie, po ju informoj nga pikëpamja ligjore se si funksionon fusha detare dhe problematikat që hasen nga gërshetimi i disa sistemeve ligjore kombëtare, të shteteve që keni zgjedhur të lundroni, me Rregullat dhe Konventat e Organizatës Ndërkombëtare Detare IMO, ku aderojmë si vend anëtar nga viti 1993.

Patenta detare Shqiptare në përmbajtjen e saj ende ka një kufizim tonazhi, deri në 20 net ton, i cili për mendimin tim është i kaluar kohe, pasi i referohet një ligji të kufirit viti 2000 që duhet ndryshuar, (ne fund cituar). Ky lloj kufizimi i vendosur në të dhënat e patentës, si dhe arsyeja që kjo patentë nuk përmban gjuhën Angleze në kopertinën e saj, e bën ketë dokument që mos të ngjasojë me dëshmitë e njëjta, që lëshohen në vendet e Bashkimit Evropian ose në botë.

Kjo lloj dëshmie sot me vendosjen e rregullave të reja nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, po formalizohet vazhdimisht në praktikën e saj të lëshimit, duke bërë referencë në kriteret që kanë administratat e vendeve të BE-së, me qëllim një ditë njësimin ndërkombëtar të saj. Por formati i saj sot, mund të konsiderohet i pa përshtatshëm për t’u barazvlerësuar me dëshmitë e vendeve të BE-së, si dhe të jetë i lexueshëm e i kuptueshëm nga Autoritet e Huaja të porteve që udhëtoni.

Si rrjedhojë dëshmia jonë e aftësisë së lundrimit (patenta detare), has vështirësi për t’u njohur jashtë Shqipërisë dhe mbetet në vullnetin subjektiv të autoriteteve detare, nëse duan ta lexojnë si të tille ose jo.

Pikërisht referuar këtij subjektivizmi të autoriteteve nga vende si Greqia, Italia, Malta, Kroacia, Mali i zi, etj, po ju sqaroj se cilat referenca ligjore duhen pasur parasysh kur keni raste te tilla mosnjohje te dëshmisë, për t'u mbrojtur sa më mirë dhe për shmangien e sanksioneve apo pengesave gjatë udhëtimit tuaj me barkë. 

1. Në rastin kur ju jeni duke lundruar në ujërat e një shteti të huaj, me një barkë që mban flamurin Shqiptar me gjatësi deri në 24 mt dhe drejtuesi i saj është i pajisur me Deshminë e Aftësisë Detare nga shteti Shqiptar, askush nuk mund t’ju pengojë, pasi si bazë ligjore për dokumentacionin që zotëroni, vlen ligji i flamurit të barkës tuaj. (P.s: i vetmi kontroll që mund të kryhet nga autoritet në këtë rast, ka të bëjë me vërtetësinë e dokumentacionit, për të shmangur falsifikimin). Agjenti juaj detar i portit ku keni bërë hyrjen (Check –in), duhet të informohet menjëherë për çdo lloj problematike që keni hasur, pasi ai është pika juaj e kontaktit për lidhjen me institucionet ose autoritetet e vendit të huaj e anasjelltas. 

2. Ne rastin kur ju jeni duke udhëtuar me një barkë deri në 24 metra e gjatë, që mban në bordin e saj flamur të huaj dhe gjendeni në ujerat territoriale të një shteti, që është i ndryshëm nga ai i flamurit të barkës, në ketë rast dëshmia juaj detare, gjen reference në rregullat ndërkombëtare, posaçërisht në Konventën STCW10, (cituar më poshtë), ku vendi ynë aderon nga viti 2000 me të drejta të plota dhe sot gjendet në listën e bardhë të kësaj konvente. Kujdes: prania juaj në këtë barkë nuk duhet të jetë për qëllime punësimi, pasi në ketë rast autoritetet e portit pritës, mund t'ju kërkojnë një dokument konvalidimi të licencës suaj (patenta detare), nga shteti i flamuri të Barkës. (Endorsement).

3. Në rastin kur ju doni të merrni një barkë me qera, që mban flamurin e një shteti të huaj dhe dëshironi të lundroni në ujërat territoriale të atij shteti, kur dëshmia e aftësisë detare që zotëroni është Shqiptare, atëherë autoritet e atij shteti kanë të gjithë të drejtën ligjore, që t’i referohen legjislacionit të tyre të brendshëm dhe t'ju pengojnë në realizimin e qëllimit tuaj. Motivimi për mos njohje gjen mbështetje në faktin që nuk ekziston një marrëveshje bilaterale për njohjen e patentave detare me atë shtet.

4. Rasti tjetër është kur ju do të kërkoni të bëni konvalidimin e patentës detare tuajën në një shtet të huaj, ku ju jeni rezident me vendbanim të përhershëm. Kjo gjë do të jetë e mundur vetëm nëse ai shtet ka një marrëveshje bilaterale me vendin tonë për njohjen reciproke të patentave detare, ku përcaktohen të gjitha procedurat dhe rregullat. 

Gjithashtu duhet sqaruar se në vendin tonë, nuk kemi ende një ndarje të drejtë në kategori, për dëshmitë e aftësisë së lundrimit. Në Shqipëri ekzistojnë vetëm dy lloje dëshmish: "Për motorë uji" dhe "Për mjete lundruese deri në 20 nt". Praktika jonë nuk përkon sot me praktikat ndërkombëtare, ku dëshmitë për mjetet e vogla lundruese ndahen në 3 kategori: Për drejtimin e Motorëve të ujit ose barkave deri në 10 mt. Patentë për lundrimin e barkave gjer në 24 mt deri në 12 milje nga bregu; Patentë për drejtimin mbi 12 milje nga bregu.

Patenta Detare Shqiptare, e cila lëshohet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, duke qene se në vendin tonë ende nuk ekziston një Kod Nautike, që të konsiderohet si një dispozitë e posaçme për rregullimin ligjor mbi lundrimet e kënaqësisë, jemi të detyruar të bëjmë referencë tek i gjithë legjislacioni i më poshtë cituar, për te gjetur mbështetje rregullatore të kësaj fushe:

  • Konventa Ndërkombëtare për Standardet e Kualifikimit, Certifikimit dhe Shërbimit për Detarët, 1978, e ndryshuar përfshirë ndryshimet e Manilës 2010”.
  • Ligjit 9251, date 08.07.2004 “Kodi Detar i Republikës se Shqipërisë”,
  • Ligji Nr. 8663, date 18.09.2000 “Per regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve notuese me motor, me tonazh nen 20 nt”. i ndryshuar.
  • Ligji nr. 10109, date 02.04.2009, “Per Administratën Detare te Republikës se Shqipërisë",
  • VKM Nr. 358, date 01.06.2012, “Per sigurinë ne Det, Plazhe dhe ujerat e Brendshme ne Thellësi te Territorit”,
  • VKM nr. 321, date 28.05.2014, “Per Sigurinë ne Det, Plazhe, ne Ujerat e Brendshme ne thellësi te Territorit dhe gjate Ushtrimit te Sporteve Ujore”, si dhe Udhëzimit te brendshëm te DPD-se, nr.
  • Udhëzime te DPD-se, 

Një problematikë tjetër që duhet zgjidhur sa më parë, është lejimi i shtetasve të huaj që janë rezident në Shqipëri të kenë mundësi të pajisen me një patente detare Shqiptare. Bazuar në parimet e reciprocitetit që ekziston në praktikat e të drejtës ndërkombëtare, kudo në botë te huajt që kanë rezidencë të përhershme, u njihet e drejta qe të pajisen me patente detare nga shteti i vendbanimit te tyre. Atëherë pse vendi ynë i mohon këtë të drejtë shtetasve te huaj? Vetë legjislacioni shqiptar e ka përcaktuar të drejtën e shtetasve te huaj për t'u bërë pjese e ekuipazhit të një mjeti lundrues qe mban flamurin Shqiptar ne bord. Ne kodin detar Shqiptar, Neni 109 “Shtetësia e ekuipazhit”, 1. Ekuipazhi i mjetit lundrues shqiptar mund te përbëhet nga persona me shtetësi shqiptare, te huaj ose pa shtetësi. Pra na lind pyetja pse praktika jonë kufizon këtë liri të qytetareve të huaj që kanë zgjedhur të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

Besoj autoritetet tona do të reflektojnë pozitivisht në zgjidhjen e kësaj çështje, çka do t'i hape rrugë shtimit të personave që kërkojnë të pajisen me patentën Shqiptare, të cilët pa dyshim do të promovojnë këtë dokument më gjerë nëpër botë dhe vetëm atëherë patenta jone detare do marrë vlerën qe meriton jashtë vendit.